Pavarësisht se hetimi për çështjen “Negreira”, në Spanjë për skuadrën e Barcelona-s ende nuk ka përfunduar, UEFA ka marrë ditën e sotme, një vendim të përkohshëm mbi pjesëmarrjen e “katalanasve” në turnetë evropianë këtë sezon e më konkretish në Champions League.
Komisioni i Apelit të UEFA-s , ka vendosur që të pranojë përkohësisht kërkesën e “blaugranave” për të marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare për edicionin 2023-2024, në pritje të zhvillimeve më të reja nga drejtësia sportive në Spanjë rreth kësaj çështje.
“Barcelona pranohet provizorisht që të marrë pjesë në kompeticione. Organizata rezervon të drejtën e një vendimi të mëvonshëm rreth pranimit apo përjashtimit nga kompeticionet e klubeve të UEFA-s. Barcelona është e detyruar që të informojë për vazhdimësinë e hetimeve në mënyrë aktive dhe të lehtësojë sigurimin e çdo lloj dokumentacioni apo informacioni që i kërkohet”,- thuhet në vendimin e UEFA-s.
Ndërkaq, kujtojmë se që prej 15 shkurtit të këtij viti, klubi “blaugrana” akuzohet për korrupsion, pas zbulimit të një listpagese prej miliona eurosh, në llogari të ish/nënkryetarit të Komitetit Teknikik të Gjyqtarëve të La Liga, Jose Maria Negreira. /i.m /abcnews.al