Problemet janë pa fund, por ky ekip duket si Anteu. Barcelona ringjallet nga hiri i saj sa herë që rrëzohet në tokë e i del shpirti nga probleme financiare, që nuk po i ndahen prej vitesh. Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar të jetë kampione në fuqi e Spanjës, të fitojë 3 nga 4 sezonet e fundit në La Liga, dhe ta nisë me një triumf 5-0 edicionin e ri.
Në stadiumin e Elçes nuk pati asnjë diskutim, edhe pse këtë herë suksesi i thellë nuk erdhi pas një dominimi po kaq të thellë në lojë. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, pasi trajneri Hansi Flik nuk pati në fushë titullarë as Pedrin, as Rodrin, as Dani Olmon, Kubarsinë apo Zhyl Kundenë, madje Rodri nuk ishte aspak pjesë e skuadrës dhe Kubarsi mbeti në stol.
Sidoqoftë, potenciali i katalanasve duket i jashtëzakonshëm. Dy gola u shënuan nga ylli i shkëlqyer brazilian, Rafinja, dy të tjerë nga Fermin Lopez, dhe një nga blerja e re e ardhur nga Dortmundi, sulmuesi Karim Adejemi.
Futbollisti që i mbijetoi sëmundjes u cilësua si një “raketë” nga e përditshmja “Marka”. Barça kryesoi 2-0 në pushim dhe e thelloi rezultatin në pjesën e dytë, duke mbajtur topin vetëm 53 për qind, tepër pak për standardet e saj.
Gjuajtjet patën më shumë diferencë, sidomos ato në portë që ishin 7-2. Lamin Jamal nuk është se u impenjua shumë dhe u zëvendësua më pas, Gavi u dëmtua, por të paktën anglezi Gordon shkëlqeu me dy asiste në debutimin e tij në kampionatin spanjoll.
Mediat në Spanjë shkruajnë se “blaugranët” kanë ende kantier ndërtimi, se duhet forcuar mbrojtja, por nëse triumfon thellë në këtë situatë, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë kur Barcelona të jetë gati. Ndoshta titulli në La Ligë mund të fitohet sërish dhe të mposhtet Reali i Murinjos, por objektivi i madh mbetet Championsi./abcnews.al


