BE-ja ndjek me ‘shqetësim’ reformën gjyqësore në Izrael

schedule18:43 - 26 Korrik, 2023

schedule 18:43 - 26 Korrik, 2023

Bashkimi Evropian (BE) tha sot se po i ndjek “nga afër dhe me shqetësim” zhvillimet në Izrael lidhur me reformën në drejtësi.

“Ndërsa marrëveshjet specifike në lidhje me reformën gjyqësore dhe fushëveprimin e saj duhet të vendosen nga izraelitët, është e rëndësishme që të ruhen vlerat thelbësore mbi të cilat bazohet partneriteti ynë”, tha në një deklaratë Nabila Massrali, zëdhënësja e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

BE-ja i bën thirrje qeverisë izraelite “të vazhdojë të kërkojë një konsensus të gjerë dhe të synojë një proces që është gjithëpërfshirës”, tha Massrali, duke shtuar: “Është e rëndësishme të arrihet një kompromis që do të ishte i pranueshëm për qytetarët dhe partitë politike izraelite”.

Debatet dhe protestat e vazhdueshme tregojnë se “një pjesë e konsiderueshme e popullsisë izraelite është e shqetësuar për reformat”, tha ajo.

Knesseti, parlamenti izraelit, miratoi të hënën një projektligj të diskutueshëm që kufizon autoritetin e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimet e qeverisë që konsiderohen të paarsyeshme.

Legjislacioni është pjesë e një plani më të gjerë të rishikimit gjyqësor të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili ka shkaktuar protesta masive dhe ka përçarë shoqërinë izraelite.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!