Palestinezët kërkojnë garanci mbështetjeje ndërsa Turqia afrohet me Izraelin

schedule14:42 - 25 Korrik, 2023

schedule 14:42 - 25 Korrik, 2023

Presidenti palestinez Mahmud Abbas viziton të martën Turqinë në një lëvizje, që analistët thonë se synon të marrë garanci për mbështetjen e Ankarasë, ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po përpiqet të përmirësojë lidhjet me Izraelin. Udhëheqësi palestinez në takimin me Presidentin Erdogan pritet të ngrejë edhe çështjen e operacioneve izraelite në Xhenin.

Udhëheqësi palestinez Mahmud Abbas ka gjetur gjithmonë një mbështetës të fortë tek presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Por tani Presidenti Erdogan është angazhuar në përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe operacionet ushtarake izraelite kundër militantëve palestinezë në kampin e refugjatëve në Xhenin në fillim të korrikut shkaktuan reagime të buta nga Turqia.

“Ushtria izraelite ka sulmuar me dronë dhe forca ushtarake kampin e refugjatëve në Xhenin. Nuk e dimë ende saktësisht se sa njerëz kanë vdekur. Përveç deklaratave të zakonshme, unë nuk kam lexuar madje asnjë dënim të dhunës në Xhenin nga ana e Ministrisë së Jashtme turke”, thotë Soli Ozel, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has.

Që kur presidenti Erdogan priti për një vizitë vitin e kaluar homologun izraelit Isaac Herzog, përpjekjet e Turqisë për të përmirësuar lidhjet me Izraelin janë intensifikuar.

Pas vizitës së udhëheqësit palestinez Mahmud Abas, presidenti turk Erdogan do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Zoti Abbas synon të përcjellë shqetësimin e palestinezëve në lidhje me përpjekjet e Turqisë për afrim me Izraelin, një veprim nga i cili zoti Erdogan thotë se do të përfitojnë palestinezët.

Shumë analistë mbeten skeptikë për çdo përpjekje për të ringjallur procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Disa analistë thonë se ndikimi që kishte Ankaraja mbi Izraelin për çështjen palestineze humbi pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Të tjerë sugjerojnë se një afrim i suksesshëm mund të ndihmojë në frenimin e shkallës së dhunës, si operacioni i fundit izraelit në Xhenin.

“Çdo konflikt i madh mes izraelitëve dhe palestinezëve ka të ngjarë të ketë një efekt negativ në marrëdhëniet turko-izraelite. Këto operacione që zgjasin vetëm dy ditë janë më pak problematike. Por, një operacion i gjatë dhe i përgjakshëm mund të shkaktojë probleme më të mëdha”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare.

Analistët thonë se palestinezët dëshirojnë që presidenti Erdogan t’i ofrojë atyre publikisht garanci për mbështetje./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!