Grupi parlament i PD, kërkon interpelancë me kryeministri Edi Rama, lidhur me cështjen e inceneratorëve. Në një prononcim për mediat, në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi tha se Rama e ka për detyrim të jetë i pranishëm në seancën e së enjtes, pasi sic tha ai është i vetmi që mund të lëvizë të gjithë mekanizmin shtetëror për këtë aferë.
“Grupi parlamentar ka depozituar kërkesën për të thirrur të enjten si pikë të parë të rendit të ditës, në interpelancë urgjente kryeministrin Edi Rama lidhur me aferën e inceneratorëve. Opinioni është tronditur nga faktet që SPAK ka zbuluar në raport me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, ndërsa cështja e tij personale, pra përgjegjësia penale e tij tashmë është cështje e drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatës. Në mënyrë urgjente kryeministri duhet së parë të japë llogari për procedurat e paligjshme në të treja koncensionet dhe të informojë opinionin si financohet arratia e tre mafiozëve të inceneratorëve me paratë e buxhetit të shtetit. Edhe pse në kërkim, vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit. Kërkesa për interepelancë urgjente është e detyrueshme, kryeministri duhet të jetë në seancë të enjtes.
Së dyti, sic jeni në dijeni, ka një kërkesë të një grupi deputetësh për mocion me debat, gjej rastin t’i bëj thirrje Nikollës për ta shqyrtuar kërkesën në mbledhjen e konferencës së kryetarëve.
Cështja e tretë, është si po shkelet rregullorja për të futur të enjten në votim një ligj të kërkuar nga grupet kriminale sic është ai për kanabisin. Është kërkesë e grupeve kriminale, jo e qytetarëve.” -u shpreh Bardhi, ndërsa theksoi se nuk do të lejojnë seancë me të deleguar të kryeministrit.
“Kërkesa është drejtuar ndaj Ramës, është detyrim i tij të paraqitet, nuk kemi kërkuar interpelancë me hije të tij. Është ai që ka fuqinë për të vënë në lëvizje të gjithë mekanizmin shtetëror për këtë aferë. Nuk do lejojmë interpelancë me të deleguar. “ vijoi më tej Bardhi./abcnews.al

