KLP shtyn mbledhjen për vlerësimin e kandidatëve, regon Komisioneri Publik

schedule13:02 - 23 Shtator, 2019

schedule 13:02 - 23 Shtator, 2019

Shtyhet mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e parashikuar mesditën e sotme për të miratuar listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Katër janë kandidatët që kanë shprehur interes për postin e kreut të akuzës, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Olsian Çela dhe Lulzim Alushaj.

Procesi u zhbllokua pas mbarimit të procesit të Vettingut për kandidatin Olsian Çela, që u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 4 Shtator, e vendimi nuk u apelua nga Komisioneri Publik brenda afatit të caktuar.

Por formalizimi i këtij momenti ka bërë që KLP të shtyjë mbledhjen për të mërkurën, deri sa të marrë me shkrim qëndrimin e Komisionerit Publik.

Në këtë fazë, KLP-ja do miratojë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore për të vazhduar më tej garën pas vlerësimit paraprak. Më pas do bëhet pikëzimi i kandidatëve dhe tre prej tyre do renditen sipas këtij vlerësimi, e do t’i dërgohen kuvendit për votim. Si zakonisht në mbledhjet e KLP-së janë të pranishëm përfaqësues nga EURALIUS e OPDAT.

Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje reagoi dhe Institucioni i Komisionerit Publik, i cili thotë se është njoftuar për vendimin e KPK-së ndaj Olsian Çelës më 6 Shtator nëpërmejt shërbimit postar.

“Bazuar në nenin 63, pika 1, e ligjit nr. 84/2016, Komisionerët Publikë kanë afat 15 ditë, nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ta ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë,  bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019.

Komisionerët Publikë, duke qenë institucioni i vetëm, ndër tri institucionet e rivlerësimit, që në bazë të ligjit, kompetencën e tij kushtetuese për të ankimuar ose jo vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e ushtron brenda një afati të prerë kohor, 15 ditë, janë duke përmbushur detyrimet e tyre me kapacitet të plotë.

Ju bëjmë më dije se nga data 4.9.2019, Komisionerëve Publikë u janë njoftuar 10 vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilat njëkohësisht janë në proces shqyrtimi nga Komisionerët Publikë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, të gjitha vendimet e marra nga Komisionerët Publikë, për të ushtruar ose jo ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, publikohen menjëherë në faqen zyrtare të institucionit:

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Institucionit të Komisionerit Publik.

/abcnews.al