Ish-deputeti i LVV i ftuar në një lidhje skype me edicionin “Shqipëria Sot” foli edhe në lidhje me mundësinë e një reflektimi të mundshëm nga Albin Kurti.
Ai tha se tanimë koha për Kosovën është ndalur. Sipas tij Kosova duhet të ishte në samitin e NATO-s në Vilnues së paku në pozicionin e trajtimit për partneritet për paqe për forcat e sigurisë, por është është e izoluar.
Abazi shton se Kosovës nuk i duhet reflektim i Kurti apo qeverisë, por i duhet kthim në sinqeritet politik.
“Koha është ndalur për Kosovën. Takimet bilaterale për integrimin e Kosovës në BE janë ndaluar. Ndaj Kosovës janë vendosur një sërë masash. Kosova ndjehet e izoluar. Në Vilnues po mbahet samiti i NATO, ku ne duhet të ishim së paku në pozicionin e trajtimit për partneritetin për paqe për forcat e sigurisë së Kosovës.
Nëse Suedia kërkon të bëhet anëtare si pasojë e rrezikut nga Rusia, ne do duhet të ishim aty dhe të përfitonim.
Kosovës i duhet jo reflektimi i Kurtit dhe qeverisë, ne na duhet kthimi te sinqeriteti politik, që duhet të vijë si rezultatit i dorëheqjes së Kurtit. Unë nuk besoj se ka kapacitet reflektues te Kurti. Ai tenton të vendosë një pushtet autokratik këtu” tha Abazi.
Pak ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në kuadër të një turi ballkanik vizitoi edhe Prishtinën, duke takuar presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, por duke u refuzuar nga Kurti.
Këtë refuzim të Kurtit, Abazi shprehet se nuk mund ta kuptojë në asnjë formë. Ish-deputeti shtoi se Rama si lider i një vendi edhe në Kushtetute e ka detyrim mbrojtjen e shqiptarëve edhe jashtë kufinjve dhe si lider i një vendi anëtar i NATO-s që ka për obligim sigurimin e sigurisë dhe stabilitetin e Rajonit.
Sipas tij roli dominant i Shqipërisë në Rajon duhet parë si i shëndoshë edhe për Kosovën.
“Dua t’ju them që kur isha zv.kryeministër kishim edhe disa batuta me Ramën. Unë nuk mendoj që marrëdhëniet mes nesh duhet të limitohet në emra të përveçëm.
Marrëdhënia jonë përveç speciale është natyrore dhe organike. Unë nuk mund të kuptoj në asnjë formë refuzimin e Kurtit për ta takuar Ramën.
Mendoj që Rama si lider i një vendi që edhe në Kushtetutë ka mbrojtjen e shqiptarëve jashtë territorit, por edhe si një vend anëtar i NATO-s që ka për obligim sigurimin e sigurisë dhe stabilitetin e Rajonit, nuk shoh asnjë gjë të keqe për kontributin e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Unë e shoh si të shëndoshë rolin dominant të Shqipërisë në Rajon” përfundoi Abazi.r.t/abcnews.al