Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër një personi i cili dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kryer veprën penale të “krimit të luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit, i pandehuri I.B, i nacionalitetit rom nga Komuna e Klinës, dyshohet se ka kryer këtë vepër nga janari i vitit 1998 deri më 21 qershor 1999 në fshatin Zajm të Klinës. Prokuroria tha se ai iu bashkua forcave policore dhe ushtarake serbe dhe vazhdimisht kishte marrë pjesë në plaçkitjen e popullatës civile, “shtëpive të tyre duke u marrë sende me vlerë, si automjete, bagëti, televizor dhe gjësende të tjera nga shtëpitë e disa banorëve”, shkruan REL.
“Gjithashtu, i njëjti kishte marrë pjesë në djegien e shtëpive në fshatin Zajm dhe fshatrat për rreth, me ç’rast në njërën nga shtëpitë e djegura, përkatësisht në shtëpinë e M. A. u gjetën të djegur viktimat B. A. dhe B. K, si dhe nën kërcënimin me armë me qëllim të frikësimit kishte marrë pjesë në dëbimin e banorëve të nacionalitetit shqiptar nga shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.
Prokuroria shtoi se ka siguruar prova materiale ndaj të dyshuarit, i cili gjendet në arrati.