Kërkesa e SPAK për të arretuar ish-numrin dy të qeverisë, e gjeti Partinë Socialiste në mbledhje të grupit parlamentar.
Dosja ju vu në dispozicion kryetares së Kuvendit, e cila ndodhej në mbledhjen e grupit. Deputetët e mësuan aty se kolegu i tyre rrezikon të shkojë në burg, teksa vetë Ahmetaj nuk ishte në mbledhje.
Taulant Balla që drejtonte grupin socialist ndoshta për herë të fundit, teksa pret karrigen ministrore, nuk bëri komente të tjera, duke thënë vetëm se vendimi do të merrej në Këshillin e Imuniteteve.
SPAK i kërkoi Kuvendit që mbledhjet për të vlerësuar arrestimin e Arben Ahmetajt të bëhen të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Prokuroria Speciale nuk i ka dërguar Kuvendit thjesht një kërkesë, por edhe materiale voluminoze që sqarojnë të paktën 6 episode korrupsioni ku dyshohet të jetë përfshirë Arben Ahmetaj.
Procedura kërkon që pas raportit të Këshillit të Imuniteteve, lejimi i arrestimit të një deputeti të votohet në seancë parlamentare nga të gjithë deputetët.
Vetë Edi Rama që nuk ishte në mbledhjen e grupit, u shfaq i qeshur përballë Kuvendit, në vilën qeveritare, duke zhvilluar një takim jo partiak. Arben Ahmetaj ka qenë zv.kryeministër deri në korrik të vitit të shkuar. Edi Rama e shkarkoi pa sqaruar motivet, dhe atij nuk i dha asnjë rol në Kuvend. Këtë vit, nuk kanë munguar fërkimet në distancë mes të dyve.