DHËRMI- Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspekton punimet në aksin Palasë-Dhërmi, segmenti 2, i cili pritet të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve brenda pak ditëve.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se punimet po ecin me ritme të shpejta, në mënyrë që rruga të vihet në përdorim të pushuesve.
“Këtu punohet me ritme të shpejta pasi ne duam që ta hapim gjatë këtij sezoni. Po flisnim edhe me ndërtuesin, edhe me punëtorët këtu që ka një presion shumë të madh nga pushuesit. Sigurisht se kur ti shikon një rrugë të shtruar ku ti mund të kalosh dhe mendon se duhet të bësh gjithë kurorën nga sipër, por ne duhet të përfundojmë dhe gjithçka duhet të jetë në parametrat e duhur të sigurisë rrugore, kështu që do të duhet pak durim, por rëndësi ka që e kemi këtë rrugë totalisht të hapur. Duhet thënë që këtu ka qenë paksa e vështirë, duke pasur parasysh që ka pronat e bregdetit, kanë një rëndësi të veçantë për pronarët e truallit dhe presin që ti zhvillojnë ato. Kështu që është dashur një bashkëpunim i mirë me banorët e zonës për të pasur mirëkuptim. Pjesa e trasesë që duket jashtë projekti është një pjesë që ne e kemi punuar dhe e kemi bërë gati për të bërë pedonalen, aty ku të gjithë mund të shëtisin gjatë ditës apo natës, duke pasur parasysh që dhe njerëz që duna të bëjnë sport, të bëjnë vrap, por edhe një korsi biçikletash për të gjithë ata që dëshirojnë që ta bëjnë këtë pjesë që është panoramike edhe me biçikletë”, theksoi ministrja.
Evis Berberi, drejtor i ARRSH, u shpreh se aksi ka një gjatësi 4.5 kilometra dhe kjo rrugë klasifikohet në kategorinë C,2.
“Segmenti i parë, të cilin e hapëm vitin e kaluar ishte 2.5 kilometra dhe tani kemi 2 kilometrat e tjerë të të gjithë aksit. Është një aks 4.5 kilometra në total, me një gjerësi 12 metra kurorë të rrugës dhe me 9 metra asfalt. Është një rrugë e kategorisë C,2 me një reliev panoramik dhe gjithashtu kemi pasur dhe dy vepra arti, urën në hyrje të Palasës dhe kemi pasur dhe një urë të vogël afër kilometrit të dytë”, theksoi ai.