Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kujtoi sot vëllezërit Bytyçi, në përvjetorin e vrasjes së tyre.
Ai potencoi se shteti serb, përpos që i ka ekzekutuar vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve “dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”.
Ai theksoi se heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e vëllezërve Bytyçi do të kujtohen ndër breza.
“Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi. Sot e çdo ditë ndajmë dhembjen me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e “Atlantikut”.”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai shtoi se nuk do të ndalen në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar.
/KosovaPress/