Me datat 21-22-23 korrik do të mbahet edicioni i shtatë i ZAFest në Shkodër. Drejtori artistik, Vlashent Sata ka ndarë detaje mjaft interesante lidhur me të tre netët.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai ka zbuluar se pjesëmarrës do të jenë disa emra të njohur ndërkombëtarisht të muzikës Jazz, duke përmendur këtu dhe shqiptaren Gala Dragot.
Sipas Vlashentit, ky festival përmban diçka që ka shumë vlerë, ndryshe nga eventet masive që bëhen për të ‘kënaqur’ masën.
“Është viti i shtatë, nuk e kemi bërë me dashje, po mendoj unë që artistët janë niveli më i lartë i nivelit të performancave që kemi pasur ndonjëherë. Janë disa që nuk njihen shumë në Shqipëri duke qene se ne bombardohemi nga gjëra që janë më shumë komerciale. Këta janë përgjithësisht kantautor dhe shumë me karriera. Për shembull, Isabel Sorling është një vajzë që ka fituar një festival si Grammy Aëard për Jazz-in në Francë, është një zë që i ngjason shumë Bjork, është suedeze. Gala Dragot ka fituar The Voice Kids në Belgjikë, njihet, është artiste fantastike. Janë shumë artistë interesant.
Duke qenë se festivali përfaqëson diçka që ka shumë vlerë dhe e shohin që nga ana e audios, e videos, e vendit, e publikut e shohin që është diçka shumë e veçantë se sot për sot, festivalet ose këto festat masive bëhen për të ‘gënjyer’ çik masën. Sa më shumë njerëz, të pinë, të kërcejnë, të gëzojnë dhe të harrojnë atë përditshmërinë”, tha ai./abcnews.al