Forcat izraelite janë tërhequr nga qyteti i Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas 10 ditësh rrethimi dhe operacionesh ushtarake.
Lajmi është bërë i ditur nga guvernatori i Hebronit, Khaled Dudin, i cili njoftoi se pas largimit të ushtrisë izraelite, forcat palestineze të sigurisë kanë marrë kontrollin e plotë të zonës. Ai bëri të ditur se familjet që ishin detyruar të largoheshin nga banesat e tyre mund të kthehen tashmë në shtëpi, ndërsa autoritetet përkatëse po punojnë për të garantuar kushtet e nevojshme për rikthimin e tyre në siguri.
Rrethimi i Hebronit ishte vendosur më 23 tetor, pas një sulmi me armë zjarri të kryer nga dy palestinezë, ku mbetën të vrarë dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë. Dy autorët e sulmit u vranë më pas nga forcat izraelite. Gjatë operacionit 10-ditor, ushtria izraelite vendosi kufizime të ashpra të lëvizjes në qytet dhe në fshatrat përreth, duke marrë nën kontroll edhe disa banesa palestineze dhe duke i kthyer ato në pika ushtarake.
Operacioni u shoqërua gjithashtu me zhvendosjen e detyruar të banorëve, shembjen e banesave dhe objekteve të tjera, si dhe dëmtimin e bizneseve dhe infrastrukturës.
Sipas të dhënave të Guvernatoratit të Hebronit, më shumë se 3,300 palestinezë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre ose u prekën drejtpërdrejt nga operacioni, veçanërisht në zonat Al-Jalda dhe Ein Deir Baha. Gjatë ndërhyrjes u shembën 15 banesa dhe struktura të tjera, ndërsa dëme të konsiderueshme u raportuan edhe në ekonominë lokale dhe infrastrukturën e qytetit.
Përveç pasojave materiale dhe zhvendosjes së banorëve, operacioni ndikoi edhe në jetën e përditshme të palestinezëve, duke ndërprerë aktivitetin ekonomik dhe zhvillimin normal të procesit mësimor.
Pas tërheqjes së forcave izraelite, autoritetet palestineze po monitorojnë situatën në terren dhe po përgatitin kushtet për kthimin e familjeve të prekura në banesat e tyre.


