Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që të rifillojë sulmet ushtarake ndaj Iranit menjëherë pas zgjedhjeve të mes-mandatit në SHBA, që zhvillohen të martën.
Sipas një raportimi të Axios, duke cituar burime izraelite dhe amerikane, Netanyahu e ka bërë këtë kërkesë gjatë një bisede telefonike me Trump të shtunën, ku në fokus ishte situata me Iranin dhe negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit. Raporti evidenton dallime mes dy liderëve, pasi Trump preferon t’u japë më shumë kohë negociatave përpara se të marrë një vendim për rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake.
Ndërkohë, presidenti amerikan po ndjek paralelisht dy skenarë: arritjen e një marrëveshjeje me Iranin për rikthimin e bisedimeve të paqes dhe përgatitjen për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.
Sipas Axios, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i ka përcjellë palës iraniane, përmes një ndërmjetësi, një letër ku propozohet rifillimi i negociatave për një armëpushim mes dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit izraelit nuk kanë pranuar të komentojnë mbi raportimin.


