Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Elbasanit për trafik droge. Operacioni “Rrajca” çoi në pranga 47 vjeçarin me iniciale A. B. dhe 22 vjeçarin me iniciale I. B., të dy banues në fshatin Sutaj-Prrenjas.
Të arrestuarit u kapën gjatë transportonit të lëndës narkotike në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Ata u arrestuan rreth orës 21:30, në fshatin Rrajcë-Sutaj, duke transportuar me një kafshë pune, rreth 55 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis-Sativa.
Njoftimi i Policisë
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me forcat e policisë të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Sekuestrohen rreth 55 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë dhe Stacionin e Policisë Përrenjas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrajca”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– A. B., 47 vjeç, dhe I. B., 22 vjeç, të dy banues në fshatin Sutaj-Prrenjas.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit rreth orës 21:30, në fshatin Rrajcë-Sutaj, duke transportuar me një kafshë pune, rreth 55 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis-Sativa.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht të llojit Cannabis-Sativa, nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Shqipëria në drejtim të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”. /abcnews.al


