“Së bashku kundër shfrytëzimit të fëmijëve”, policia bashkëpunim me bashkinë Tiranë: Autorët do përballen me ligjin

schedule12:53 - 4 Korrik, 2023

schedule 12:53 - 4 Korrik, 2023

Në kuadër të nismës për të zbehur fenomenin e dëmijëve në situatë rruge, që i ekspozon ato ndaj formave të dhunës, abuzimeve, shfrytëzimit dhe trafikimit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka hartuar një plan masash të përbashkët, për parandalimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, në kryeqytet.

Sipas policisë ky është një plan masash që ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e keqtrajtimit dhe shfrytëzimit në situatë rruge, identifikimin dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme, si dhe referimin e rasteve në organet kompetente.

Gjithashtu ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e fenomenit të lypjes nga fëmijët, në rrugë, rritjen e ndërgjegjësimit të gjithësecilit për këtë fenomen, si dhe zbatimin e ligjit për procedimin penal të prindërve ose të kujdestarëve ligjorë të fëmijëve, nëse do të konstatohen raste të shfrytëzimit të tyre.

Ndërkohë mësohet se në kuadër të këtij plani janë ngritur grupe pune të posaçme me punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të komisariateve në varësi të saj, të Skuadrave të Terrenit të Shërbimeve Sociale dhe të Bashkisë Tiranë, të cilët kanë një rol kyç në ecurinë e këtij procesi.

Këto grupe pune po monitorojnë terrenin, me qëllim identifikimin, vlerësimin e nevojave, dhënien e ndihmës së menjëhershme, referimin e rasteve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, do të vijojnë. Për të ardh në ndihmë të ndalimit të këtij fenomeni Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon nga qytetarët që të kontaktojnë nëse do të shikojnë raste të tilla. Qytetarët për të denoncuar rastet e shfrytëzimit të fëmijëve mund të telefonojnë në numrat pa pagesë 112 (Policia) dhe Alo 116-111 (Linja e Këshillimit për Fëmijët).

Gjithashtu apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!