Gaforrja blu, që po çmend peshkatarët e Karavastasë dhe Divjakës

schedule15:31 - 19 Shtator, 2019

schedule 15:31 - 19 Shtator, 2019

Gaforrja blu është shumuar në lagunën e Karavastasë dhe në bregdetin e Divjakës. Peshkatarët janë të tronditur nga ky fenomen pasi nuk gjejnë asnjë kg peshk.

Gaforrja blu ose siç i thonë vendasit, goforre aliene,  po i tmerron peshkatarët në Karavasta. Aq shumë është shumuar në lagunë dhe në bregdetin Adriatik në Divjakë, saqë rrjetat mbushen vetëm në pak minuta.

Stilian Kishta me varkën e tij ka dalë për peshkim. Por është i bindur se do të gjejë vetëm gaforre. Ai ka tre muaj që nuk ka zënë një kg peshk.

Njohësit e këtyre ujrave thonë se ka tre vjet që peshku dhe ngjala është zhdukur. Ata besojnë se po shfarosen nga gaforrja, e cila lëshon deri ne pesë million vezë. Janë të fuqishme dhe  agresive. Rrjetat e peshkatarëve dalin jashtë përdorimit.

Kjo specie është e ngrënshme dhe me vlera ushqyese, por ka shumë pak treg për të. Edhe çmimi është mjaft i ulet 50 lekë për kg dhe peshkatarët nuk kanë interes. Ata i lënë të ngordhin. Vetëm në një ditë zunë deri në 200 kg gaforre, por asnjë lokal apo restorant nuk i bleu.

Përgjatë vijës bregdetare të detit, tonelata gaforre janë  braktisur. Sasia e madhe e tyre ka varfëruar peshkatarët, të cilët nuk po gjejnë më peshk. Nga 200 ton ngjala në vit të lagunës Karavasta, peshkatarët kanë nxjerrë vetëm disa kilogramë. /ABC News Albania 24/7