Përkujdesja ndaj të moshuarve drejt zbehjes

schedule16:00 - 19 Shtator, 2019

schedule 16:00 - 19 Shtator, 2019

Përkujdesja e të rinjve ndaj të moshuarve po zbehet gjithnjë e më tepër. Një fakt të tillë e pranojnë edhe sociologët, sipas të cilëve një nga faktorët është edhe varësia ndaj teknologjisë. Sociologu Gëzim Tushi thotë se të rinjtë po bëhen gjithnjë e më individualistë.

Ky rast, kur një i moshuar qëndron në këmbë dhe të rinjtë ulur në autobusët urbane, nuk është i rrallë. Zbehjen e respektit dhe të përkujdesjes, e pranojnë për Abc News vetë të moshuarit, të cilët preken çdo ditë nga ky fenomen.

Por edhe të rinjtë e pranojnë se rastet kur bashkëmoshatarët e tyre nuk ua lirojnë vendin të moshuarve, po rriten gjithnjë e më tepër.

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Abc News tregon se të rinjtë po bëhen gjithnjë e më individualist dhe rol për këtë, po luan edhe varësia ndaj teknologjisë.

“Është evidente që ka një rënie të treguesve që kanë të bëjnë me respektin ndaj të moshuarve dhe fëmijëve. Unë dua të theksoj se vlera e një qytetërimi përveç të tjerave matet me respektin që tregon në këto dy kategori speciale, siç janë fëmijët dhe të moshuarit. Ne e vemi re në urban, për fat të keq të rinjtë nuk i respektojnë të moshuarit dhe kanë gjetur këtë maskimin pas teknologjisë. Hapin celularin dhe bëjnë sikur nuk e kanë mendjen që pranë tyre është një i moshuar”, tha Tushi.

Sociologu Tushi u bën thirrje të rinjve që të tregojnë më shumë përkujdesje për moshën e tretë, duke u përcjellë ketë mesazh.

“Unë gjykoj se kujdesi për të moshuarit dhe kujdesi për fëmijët, respekti për të moshuarit dhe fëmijët nuk është i tepërt. Të gjithë do plakemi një ditë dhe të gjithë do kemi nevojë për këtë bastunin e shoqërisë që vjen si një komponent shtesë i përkujdesit social, nga njerëzit më të rinj”, tha Tushi./ABC News Albania 24/7