Dosja e “Gërdecit”, shtyhet sërish seanca për Fatmir Mediun

schedule14:39 - 22 Qershor, 2023

schedule 14:39 - 22 Qershor, 2023

Shtyhet seanca ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shkak u bë verifikimi që prokuroria duhet t’i bëjë listës së paraqitur nga familjarët e personave të dëmtuar nga shpërthimi në Gërdec, në vitin 2008.

Në seancën e kësaj të enjte, pritej që në Gjykatën e Posaçme të dëshmonin familjarë të viktimave të Gërdecit, pasi Shkalla e Parë vendosi më herët pranimin e tyre si palë në procesin kundër ish ministrit Mediu.

Avokati mbrojtës i familjes Durda që humbën djalin e tyre 7 vjeç, tha se janë 109 persona që kanë dorëzuar prokurat dhe se ato janë të viteve të ndryshme.

Seanca e radhës u caktua që të mbahet më 7 korrik. Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.

Ka dyshime se Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut komandues, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin. Përveç Mediut, SPAK po heton në një fraksion tjetër për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” në lidhje me kontratat e firmosura për shitjen e municioneve . Në pyetje deri më tani janë marrë Aldo Bumçi, ish-ministër i drejtësisë së kohës dhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.