Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se nëse propozimi i kryeministrit Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë merr ‘bekimin’ e Brukselit, është i mirëpritur. Në një intervistë për ‘Ballkan Update’, ai tha se nuk priste që Beogradi apo Prishtina zyrtare ta pranonin propozimin.
“Nuk na treguan as njëri as tjetri nëse kanë parë këtë dokument nga zoti Rama përmes emisarëve apo flasin për diçka që nuk e kemi parë dhe nuk na është kërkuar të japin mendim. Ne nuk mund të flasim për një dokument që s’e kemi parë. Vetëm shpjegimi i zotit Rama për parime na jep me kuptuar se është vullnet i mirë i tij për të relaksuar palët në këtë ngërç. Do të ishte e vështirë që presidenti serb t’i thotë po një dokumenti që vjen prej Tiranës zyrtare ndërkohë që Kurti njihet në Kosovë si ‘mister No’ që refuzon gjithçka për ngado që vjen.
LEXO EDHE: Kurti, Vuçiç ‘bashkë’ kundër Ramës/ Brenda pak orësh refuzojnë të dy propozimin
Shpresoj shumë që ky dokument të mos jetë i ndikuar nga vendimmarrës ndërkombëtar dhe të jetë një formë ‘merre ose leje’, një dokument që mund të vijë prej Zotit Rama por që ka bekimin e kancelarit gjerman dhe presidentit francez. Dhe nëse e ka bekimin e tyre atëherë do të jetë një axhendë mbrapa që do të shtyhet. Për befasinë time doli që ka një axhendë të fshehur në proces që nuk e kemi pritur, që po del se propozimi vjen nga një kryeministër i Ballkanit Perëndimor.”, tha Haziri.
Ndërkaq analisti Seladin Xhezairi tha se Rama nuk ka tejkaluar kompetencat pasi edhe në Kushtetutë përmendet detyrimi i Shqipërisë për të mbrojtur shqiptarët përtej kufirit.
“Unë gjykoj se kjo që po ndodh në vijën Prishtinë-Tiranë është demonstrimi i mungesës së dialogut dhe komunikimit mes dy qendrave për shkak se është detyrimi i kryeministrit shqiptar, kushtetuta e Shqipërisë e saktëson nenin 18, detyrimin e Shqipërisë për të mbrojtur shqiptarët përtej kufirit të shtetit shqiptar. Serbia edhe sot e kësaj dite Kosovën e ka të përfshirë në Kushtetutën e vet dhe gjykoj në këtë sens se idetë e zotit Rama mund të përforcojnë propozimin e zotit Kurti që të gjendet një rrugëzgjidhje. Prandaj pres me padurim se çfarë epilogu do të ketë mbledhja e qeverive në Gjakovë kur kemi këto raporte dhe akuza nga distanca që më shumë se kurrë po flasim për një kendek midis dy ekzekutiveve.“, theksoi ai./abcnews.al