Liverpool mban kreun e renditjes

schedule16:59 - 14 Shtator, 2019

schedule 16:59 - 14 Shtator, 2019

Liverpool barazoi dy rekorde dhe forcoi pozitat në krye të renditjes së Premier Ligës angleze. Formacioni i trajnerit Jurgen Klopp mundi Newcastle me përmbysje.

Nuk dorëzohet kurrë kjo skuadër, as kur goditet që në fillim. Liverpool u shfaq sërish si një kandidat i madh për titull në Premier Ligë, duke përmbysur dizavantazhin e hershëm ndaj Newcastle e duke arritur fitoren e pestë radhazi.

Pasi miqtë kaluan në epërsi në “Anfield” me anë të Jetro Willemsit në minutën e 7-të, skuadra e trajnerit Jurgen Klopp mori lojën në dorë, duke treguar qartë se suksesi nuk do t’i shpëtonte nga dora.

Sadio Mane ishte heroi i pjesës së parë, autor i dy golave, por i gjithë Liverpool shkëlqeu. Sidomos lojtarët e krahut, Robertson e Alexandre-Arnold, mbrojtësit e qendrës Van Dijk e Matip, si dhe mesfushorët Fabinho e Wijnaldum.

Mane realizoi në minutat 28-të e 40-të, duke i dhënë vendasve epërsinë që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit u shfaq heroi tjetër. Mohamed Salah shënoi golin e tretë të ndeshjes, me të kuqtë që barazuan dy rekorde në Premier Ligë.

Së pari, ata u bënë skuadra e tretë që arrin 5 fitore në 5 ndeshjet e para dy sezone radhazi. Po ashtu, u bënë skuadra e tretë, bashkë me Chelsea-n e Manchester United, që shënojnë më shumë se 100 gola ndaj një skuadre të vetme që kur u krijua Premier Liga në 1992.

Më i rëndësishëm sesa barazimi i rekordeve ishte fakti se Liverpool u ngjit në kuotën e 15 pikëve, duke forcuar pozitat në krye të renditjes, ndërsa sfida për titull duket se do të jetë sërish shumë e fortë ndaj të njëjtit rival, Manchester City./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!