Bundestagu gjerman nuk e fsheh mundësinë që Shqipëria dhe Maqedonia të ndahen në rrugën e hapjes së negociatave që deri tani e kanë pasur të përbashkët. Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.
Shqipëria e Maqedonia e Veriut deri më tani i kanë hedhur bashkë hapat e integrimit. Të dy vendet po presin në 18 tetor të çelin negociatat, por nuk përjashtohet mundësia që tani rrugët e dy vendeve të ndahen e njëra të përparojë më shumë se tjetra.
Gunter Krishbaum, kreu i komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, tha për Deutche Welle se secili vend duhet të përparojë sipas meritave vetjake.
Günther Krichbaum: Në Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë, dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “parimi i meritës vetjake”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë.
Günter Krichbaum shprehet optimist për Maqedoninë, duke i njohur meritën e marrëveshjes me Greqinë.
Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet evropiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.
Sipas ligjeve gjermane, Kancelarja Merkel është e detyruar t’i nënshtrohet vendimit të Bundestagut për çdo qëndrim mbi zgjerimin e BE-së./ABC News Albania 24/7