Pentagoni thotë se njoftimet se Kina dhe Kuba kanë arritur një marrëveshje sekrete që lejon Pekinin të ndërtojë një objekt përgjimi elektronik në ishullin që është 160 kilometra nga Shtetet e Bashkuara, nuk janë “të sakta”.
“Mund t’ju them, bazuar në informacionin që kemi, se nuk është i saktë. Ne nuk jemi në dijeni që Kina dhe Kuba po zhvillojnë ndonjë lloj stacioni spiunazhi”, u tha gazetarëve në Pentagon të enjten sekretari i shtypit të Pentagonit, gjenerali i brigadës, Pat Ryder, shkruan VOA.
Sipas njoftimeve, të cilat u shfaqën për herë të parë në gazetën The Wall Street Journal duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të inteligjencës, Kina kishte rënë dakord t’i paguante Kubës së rënuar financiarisht disa miliarda dollarë për objektin e spiunazhit, i cili do t’i lejonte Kinës të mblidhte komunikime elektronike nga e gjithë juglindja e SHBA-së. ku ndodhen baza të shumta ushtarake.
Gjenerali Ryder shtoi se Pentagoni nuk ishte në dijeni të krijimit të ndonjë baze ushtarake nga Kina në Kubë apo gjetkë në rajon.
Megjithatë, ai paralajmëroi se marrëdhënia midis Kubës dhe Kinës është diçka që Pentagoni monitoron vazhdimisht, së bashku me çdo lloj “veprimtarie shtrënguese ose aktiviteti luftarak” nga Kina në hemisferën perëndimore.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i përshkroi gjithashtu njoftimet e mediave si “jo të sakta”.