Ditën e djeshme, urguajani i Sporting Lisbon, Manuel Ugarte nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me “parizienët” e PSG, mirëpo ky transferim nuk i pëlqeu aspak teknikut të ri të Chelsea, Mauricio Pochettino, i cili donte ta sillte 23-vjeçarin në “Stamford Bridge”.
Në të tilla rrethana, tekniku argjentinas është i detyruar të ndërrojë objektivin e tij dhe sipas raportimeve më të fundit nga prestigjiozja britanike, “The Guardian”, “blutë” janë të vendosur për t’iu bashkuar “të kuqve” të Liverpool e “katalanasve” të Barcelona, në “garën” për të siguruar shërbimet e talentit spanjoll, Gabri Veiga.
Vetëm 21-vjeçar, “katalizatori” i mesfushës së Celta Vigo, mund të quhet me plot gojë protagonisti absolut këtë sezon në sigurimin e mbijetesës në La Liga, teksa ka gjetur plot 11 herë rrugën e rrjetës, si dhe ka siguruar 4 asistime, në sezonin e tij të parë në elitën spanjolle.
Aktualisht Veiga ka një vlerë kartoni prej 30 milionë eurosh, mirëpo çdo klub që do të kërkojë shërbimet e tij, duhet të paguajë klauzolën prej 40 milionë eurosh, që 21-vjeçari ka në kontratën me klubin. /i.m /abcnews.al