Kryeministri i Kanadasë, Xhastin Trudo ka nisur fushatën për rizgjedhjen e tij. Ndonëse është optimist, sondazhet e nxjerrin atë një figurë politike të dobësuar, edhe për shkak të një skandali ku ai rezulton i përfshirë.
Kryeministri kanadez Xhastin Trudo nisi të mërkurën fushatën e vështirë të rizgjedhjes dhe menjëherë u përball me pyetje që kishin të bënin me skandalin e etikës që mund të tkurrë mbështetjen për Partinë e tij Liberale. Trudo, që mori detyrën në nëntor të 2015-s duke premtuar ndryshime dhe duke e vënë theksin tek barazia gjinore dhe ambjenti, përballet tani me një elektorat më të fokusuar tek ekonomia dhe përballja e jetesës. “Kemi shumë punë për të bërë, por me një qeveri liberal-demokrate Kanadaja do të vazhdojë të ecë përpara”, tha kryeministri për gazetarët pas nisjes së fushatës për zgjedhjet që mbahen më 21 tetor. Trudo, 47 vjeç, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, i njohur edhe për çorapet e ngjyrosura dhe look-un e tij perfekt, mund të ketë historinë në anën e tij. Asnjë kryeministër në Kanada që prej vitit 1935 nuk është larguar nga detyra me të mbaruar mandatin e parë. Por sondazhet sugjerojnë se ai mund të mos fitojë mandatet që i duhen për të qeverisur i vetëm, pas një seri gabimesh që vunë në dyshim lidershipin e tij. Anketat e nxjerrin atë një figurë politike të dobësuar, që do t’i duhet të kërkojë ndihmën e anëtarëve të opozitës për të patur shumicën në Parlament. Muajin e kaluar, një institucion mbikëqyrës deklaroi se kryeministri kishte shkelur rregullat e etikës duke i bërë presion ish-ministrit të Drejtësisë që një kompani e madhe ndërtimi t’i shpëtonte procesit gjyqësor. /ABC News Albania 24/7