Kryeministri ka zhvilluar si çdo të mërkurë takimin me një grup qytetarësh që kanë gjetur zgjidhje duke u ankuar për administratën tek portali i bashkëqeverisjes. Edi Rama pranoi se disa zyrtarë parazitë po gërryejnë institucionet.
Ky qytetar shkodran kishte dështuar të merrte shërbim në zyrat e kadastrës së qytetit të tij, ndaj, siç kishte dëgjuar në media kryeministrin, ju drejtua portalitë të bashkëqeverisjes. E për t’i treguar Edi Ramës se zyrtarët parazitë mund t’i kalbin shtetin, i dha këtë shembull.
“Tek shtëpia që unë jetoj në Shkodër, në oborr kam një trung ahu ku unë ulesha aty. Kam vënë re se kalojnë shumë buburreca poshtë. Për kuriozitet vura re se këto buburreca e kishin gërryer nga poshtë kështu që sado i fortë të jetë ky tra, në qoftë se këto buburreca nuk do të zhduken në një formë, ose në një tjetër, këto përsëri do të mbeten njëlloj. Uroj që këto shushunja të jenë sa më të pakta dhe mund të shtypen”, tha ai.
Kryeministri i tregoi menjëherë se ai nuk po i toleronte parazitët e administratës së tij.
“Të jesh i sigurt se unë nuk kam patur nevojë të ulem në ndonjë stol për të parë se çfarë bëjnë buburrecat nga poshtë, se rri në këmbë dhe i shikoj buburrecat ulur që gërryejnë. Megjithatë kjo kërkon durim të madh, kërkon vullnet, kërkon kohë dhe sigurisht kërkon sisteme. Platforma është një nga ato sisteme që i mpin buburrecat dhe disa prej tyre edhe i shtyp. Unë e di që ju keni parasysh buburrecat e hipotekës së Shkodrës, kushedi se çfarë keni heq me ata. Por ne po vazhdojmë të luftojmë”, u shpreh Rama.
Së fundi në platformë është përfshirë një rubrikë e veçantë për biznesin, për t’i krijuar të gjithë atyre që merren me biznes në Shqipëri, të njëjtin akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që hasin me administratën. Sipas kryeministrit, deri tani, portali ka pranuar 51 mijë ankesa./ABC News Albania 24/7

