Tensionet në veri/ Escobar dhe Lajçak sot në Kosovë

schedule07:30 - 5 Qershor, 2023

schedule 07:30 - 5 Qershor, 2023

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar, do ta vizitojnë sot Kosovën lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit. Ndërsa ditën e nesërme do të jenë në Serbi.

Përveç takimeve me drejtues të institucioneve në Prishtinë, Lajçak dhe Escobar pritet ta vizitojnë edhe veriun e vendit. Në një deklaratë për mediat pak ditë më parë, Bashkimi Evropian kërkoi urgjentisht qetësimin e situatës përndryshe do të ketë pasoja të rënda për të dyja palët.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative. Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj.

Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhej në deklaratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!