A po nxitohemi me inteligjencën artificiale?

schedule18:59 - 4 Qershor, 2023

schedule 18:59 - 4 Qershor, 2023

Sistemet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT-4, Bard, dhe Baidu, po përhapen me shpejtësi në të gjithën botën e internetit. Ekspertët dhe autoritetet po shqyrtojnë ndërkohë nëse do të duhet një kuadër ligjor për të qeverisur prodhimin e inteligjencës artificiale dhe për të shmangur kështu rreziqet e mundshme që e shoqërojnë atë.

ChatGPT prodhon tekst duke bërë parashikime se cilat fjalë do t’i përgjigjeshin më mirë një pyetjeje, bazuar në ato çfarë ka përvetësuar nga një volum i madh tekstesh nga veprat e shkruara.

“Teknologjia e madhe që ka befasuar botën janë të ashtuquajturat modelet e mëdha të gjuhëve. ChatGPT dhe Bard janë ndër shembujt e modeleve të mëdha të gjuhëve. Mënyra se si funksionojnë ato është vërtet e thjeshtë. Ato veprojnë pikërisht siç vepron celulari juaj kur filloni të shkruani një mesazh, p.sh. ‘ku gjenden…’ dhe në vazhdim celulari ju sugjeron se si ta vazhdoni fjalinë”, shpjegon profesor Michael Wooldridge, nga Universiteti i Oksfordit.

Shpeshherë imazhet që shohim mund të jenë krijuar me mjete të sofistikuara të inteligjencës artificiale dhe mund të mos jenë të vërteta, si përleshja fiktive mes ish-Presidentit Donald Trump dhe oficerëve të policisë së Nju Jorkut.

“Kjo teknologji është shumë, shumë e mirë për të krijuar histori false. Në fund të fundit, qëllimi i kësaj teknologjie është që të prodhohet tekst që të tingëllojë i vërtetë. Dhe një nga mënyrat që mund të përdoret në mënyrë të paskrupullt është për të industrializuar prodhimin e historive false”, thotë Profesor Wooldridge.

A mos veprojnë me shpejtësi të nxituar kompanitë që nxjerrin këtë teknologji të inteligjencës artificiale, që një ditë mund t’ua kalojë njerëzve? Kështu mendojnë një grup shkencëtarësh të rëndësishëm të shkencave kompjuterike, si dhe personalitete si Elon Musk, apo bashkëthemeluesi i kompanisë Apple, Steve Wozniak, të cilët kanë bërë thirrje për një pauzë 6-mujore. Thirrja e tyre u bë pasi kompania nga San Françisko “Open AI”, nxori variantin 4, të programit të saj të inteligjencës artificiale ChatGPT, i cili ndezi një garë mes gjigandëve Microsoft dhe Google për të prodhuar programe të tilla.

Italia ndërkohë ka ndaluar programin e inteligjencës artificiale ChatGPT dhe po heton për shkelje të mundshme të rregullave të rrepta të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

“Pikë së pari, nuk ekziston një bazë ligjore për të mbledhur të dhëna pa leje nga interneti. Dhe së dyti, rezultatet nuk do të jenë të garantuara si të vërteta dhe të sakta. Pra mund të dalin rezultate të pasakta për individët”, thotë Profesor Nello Cristianini, nga Universiteti i Bathit.

Kompania amerikane OpenAI, ndali qasjen e përdoruesve italianë tek programi ChatGPT, pas kërkesës së qeverisë italiane, dhe mendon se praktikat e saj janë në përputhje me ligjet evropiane të privatësisë.

Disa qeveri po përpiqen të hartojnë legjislacion për mjetet e inteligjencës artificiale. Britania publikoi një dokument ku paraqet përqasjen e saj, dhe në Bashkimin Evropian po negociohet miratimi i rregullave gjithëpërfshirëse për inteligjencën artificiale. Administrata e Presidentit Biden kërkon masa më të forta për të testuar sigurinë e mjeteve të inteligjencës artificiale përpara se ato të bëhen të disponueshme për publikun.

“Na duhet ndoshta sistem rregullator. Duhet që njerëzit që i nxjerrin këto produkte të jenë vërtet të kujdesshëm se si i nxjerrin dhe për çfarë i reklamojnë ato. Duhet që edhe ne si përdorues të jemi të kujdesshëm dhe të sigurohemi që nuk u besojmë sistemeve më shumë se ç’duhet”, thotë Anthony Cohen, profesor për arsyetimin e automatizuar, në Universitetin Leeds.

Teknologjia e inteligjencës artificiale po ndërthuret tashmë gjithnjë e më shumë me jetën tonë të përditshme. Dy media në Kuvajt, “Kuwait News” dhe “Kuwait Times”, paraqitën prezantuesen e tyre të parë virtuale, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Asaj i është dhënë emri popullor arab Fedha, që përkthehet argjend, dhe ajo shfaqet në ekran për të informuar shikuesit./VOA