Kërkesa e ndërkombëtarëve për të organizuar zgjedhje të reja në katër komunat e veriut të Kosovës, është mbështetur edhe nga qytetarët e Prishtinës. Edhe pse shprehen se autoritetet kanë vepruar në mënyrën e duhur, qytetarët besojnë se zgjedhjet do të qetësojnë situatën.
“Zgjedhjet e reja janë opsion deri në një moment kur plotësohen kushtet, është interpretuar se nuk zgjidhet nga votat, nga populli serbë. Kosova nuk përbëhet vetëm nga shqiptarët, por ka edhe pakica dhe është normale. Në asnjë vend në botë nuk kanë më shumë të drejta pakicat se sa në Kosovë”, ka thënë një qytetar në Kosovë.
Një tjetër shprehet se është e rëndësishme se në këtë situatë të krijuar në veri më mirë është që të zhvillohen zgjedhje.
“Si qytetar i Prishtinës unë mendoj se për qetësimin e situatës në pjesën veriore duhet të dalim në zgjedhje. Një pakicë 3% nuk mundet me përfaqësuar pakicën serbe, duhet të sqarohet me zgjedhje si e kanë propozuar edhe Amerika dhe kryeministri Albin Kurti në Kuvend, duhet të shkojmë në zgjedhje”.
Disa kanë komentuar edhe reagimin e shteteve të bashkuara të amerikës. Hashim Hashimi thotë se Amerika po “përkëdhel” më së shumti Beogradin.
“Pse Amerika po thotë, ajo po e ledhaton kaq shumë. Kryeministri po del sikur me qenë kundër, nëse ata në veri binden me dalë në zgjedhje, është më mirë dhe është normale me i udhëheqë komunat e veta ata po dalin kundër fjalëve të veta. Amerika na ka përkrahë gjithmonë por më së miri e din Albin Kurti”.
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Kërkesë kjo që është pranuar edhe nga Prishtina zyrtare./abcnews.al