Veliaj mbledh drejtorët: Regjistroni fëmijët në shkollat pranë banesës

schedule15:30 - 10 Shtator, 2019

schedule 15:30 - 10 Shtator, 2019

Gjatë një takimi me drejtuesit e shkollave në kryeqytet nisjen e vitit të ri mësimor, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi që nxënësit të regjistrohen në shkollat pranë banesës së tyre, që të shmanget mbipopullimi në klasa.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, të gjitha shkollat e kryeqytetit do të jenë gati për të mikëpritur nxënësit. Këtë e bëri të ditur vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit në mjediset e shkollës “Dhora Leka”.

“Më vjen mirë që kemi një palestër të re, kemi transformuar gjithë hapësirat e tjera, si jashtë, ashtu dhe brenda shkollës. Njësoj si efekt domino, njëra pas tjetrës, nëse nuk kemi mbërritur ende tek shkolla juaj, është vetëm çështje kohe. Tre-katër vjet më parë ishte siklet se nuk kishim prekur shumicën e shkollave, kurse tani i kap me gishtat e dorës ato shkolla që ende kanë nevojë për një ndërhyrje”, tha Veliaj.

Që të shmanget mbipopullimi në klasa, Veliaj u kërkoi mësuesve dhe prindërve, që nxënësit të regjistrohen në shkollat sa më pranë banesës së tyre.

“Një sfidë e fundit është çështja e regjistrimeve. Legjenda e Tiranës së viteve ’80, ku vetëm dy shkolla janë të mira, nuk ekziston më. Shkollat, kur bëhet renditja, lëvizin me milimetra për performancë. Më rezulton se shkolla e Lundrës është ndër të parat. Portali ka arritur që të bëjë thuajse një barazi mes shkollave. Duhet një punë mjaft emancipuese. Prindërve duhet t’u themi: janë orë jetë njeriu që, o mund t’i kalojmë në trafik, duke shkuar te “Sami Frashëri”, ose në ato 600 orë mund të mësojmë piano, basketboll, programim ose gjuhë të huaj”, tha Veliaj.

Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor, Bashkia e Tiranës do të organizojë më 14 Shtator edhe një aksion të gjerë pastrim, për të siguruar që mjediset pranë shkollave të jenë sa më të pastra./ABC News Albania 24/7