Brexit, kryetari i Parlamentit njofton dorëheqjen

schedule23:00 - 9 Shtator, 2019

schedule 23:00 - 9 Shtator, 2019

Procesi i Breksit ka çuar në zhvillime të papritura në Mbretërinë e Bashkuar. Kryetari i Parlamentit ka dhënë dorëheqjen, ndërsa mbretëresha Elizabeth ka firmosur ligjin që ndalon daljen e vendit nga BE pa një marrëveshje.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Mbretërinë e Bashkuar, Xhon Berkou ka deklaruar se do të japë dorëheqjen në zgjedhjet e ardhshme, ose më 31 tetor kur është dhe data e Breksit. Duke folur në Parlament, Berkou tha se drejtimi i tij 10-vjeçar ndodhej pranë fundit dhe u shpreh se për të kishte qenë një nder dhe privilegj të shërbente në këtë detyrë. “Nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, atëherë 31 tetori do të jetë data më demokratike dhe më pak përçarëse për të dhënë dorëheqjen”, tha Berkou. Ish-ligjvënësi konservator pasoi në këtë detyrë Majkëll Martin në vitin 2009. Ai është përballur me kritika nga deputetët pro-Breksit, të cilët kanë vënë në dyshim paanshmërinë e tij ndaj çështjes dhe e kanë akuzuar se ka lehtësuar përpjekjet e ligjvënësve që kundërshtojnë një largim pa marrëveshje, që pak kohë më parë i morën kontrollin e Parlamentit qeverisë. Dorëheqja e Berkou vjen pak orë pasi mbretëresha Elizabeth nënshkroi ligjin që ndalon një Breksit pa marrëveshje. Ligji ishte promovuar nga fronti kundër linjës së kryeministrit Boris Xhonson, i cili kërkon ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Unioni me çdo kusht. Ligji, që synon t’i imponojë kryeministrit kërkesën për një shtyrje të daljes nga BE-ja përtej 31 tetorit në rast se nuk arrihet një marrëveshje me Brukselin, me firmën e monarkes hyri në fuqi. Por në një reagim, zyra e Xhonson deklaroi se ai do ta çojë deri në fund procesin e Breksit. “Kryeministri është shumë i qartë kur thotë se do ta nxjerrë vendin nga BE-ja më 31 tetor. Ai nuk do të shkaktojë më vonesa të panevojshme”, thuhet në një deklaratë. /ABC News Albania 24/7