Shënohet viktima e parë nga droga “zombie” në Evropë

schedule22:35 - 30 Maj, 2023

schedule 22:35 - 30 Maj, 2023

Shënohet viktima e parë nga droga “tranq” ksilazine, e njohur edhe si “droga zombie”.

Carl Wamburton, sipas mediave britanike, vdiq në maj 2022 në shtëpinë e tij, dhe u konfirmua se shkaku i vdekjes ishte ksilazina. Burri kishte një histori të përdorimit të paligjshëm të drogës dhe ishte referuar në shërbime të ndryshme të varësisë nga droga, thuhet në raportin e mjekut.

Tranq i referohet substancave që ndikojnë në sistemin nervor. Përdorimi i termit “zombie” shoqërohet me imazhin e zymtë të përdoruesve: Humbje perceptimi, dobësi dhe ngadalësim të lëvizjeve, por edhe plagë të mëdha të hapura në trup.

Xylazine është një qetësues që përdoret zakonisht nga veterinerët për kafshët e mëdha dhe konsiderohet i papërshtatshëm, në çdo dozë, për konsum njerëzor.

Por prej vitesh është shfaqur edhe në tregun e barnave. 43-vjeçari nga Solihull, Angli, u rendit zyrtarisht si viktima e parë në një raport nga King’s College London (KCL), i cili u botua në Journal of Forensic and Legal Medicine.

Sipas hetuesve, viktima ka të ngjarë të mos ishte në dijeni se po konsumonte “drogën zombie” teksa po blinte heroinë që ishte e përzier me ksilazin dhe fentanil. “Me sa dihet, kjo është vdekja e parë e lidhur me përdorimin e ksilazinës e raportuar në MB, madje edhe në Evropë, dhe sugjeron futjen e ksilazinës” në Kontinentin e Vjetër.

Përdorimi i ksilazinës u identifikua për herë të parë në fillim të viteve 2000 në Porto Riko dhe që atëherë është raportuar shumë herë në SHBA, ku është cilësuar një “kërcënim në zhvillim” pasi shoqërohet me 7% të vdekjeve nga mbidoza.

Megjithatë, është hera e parë që regjistrohet një vdekje në Evropë. Përdorimi i ilaçit shkakton ngadalësimin e frymëmarrjes dhe ritmit të zemrës në nivele të rrezikshme, si dhe plagë të mëdha të hapura në lëkurë. Plagët gradualisht përhapen në të gjithë trupin, duke shkaktuar kalbje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!