Presidenti Donald Trump ka anuluar papritur marrëveshjen e paqes me talebanët, duke hedhur poshtë një vit negociata të vështira me guerrilasit, të kontestuara pasi në to nuk ishte përfshirë qeveria e Kabulit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka anuluar negociatat e paqes me talebanët, që do t’i jepnin fund luftës 18-vjeçare të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.
Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë përmes një postimi në rrjetin social Twitter. Trump do të takohej me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe disa liderë talebanë këtë të dielë në Kemp Dejvit, por ai e anuloi takimin sekret pasi militantët pranuan se ishin prapa një sulmi të ndodhur së fundmi që i mori jetën një ushtari amerikan.
Bisedimet do të mbaheshin pak ditë përpara përvjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit 2001. Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin dhe rrëzuan regjimin taleban në vjeshtë të vitit 2001, për shkak se militantët u kishin dhënë strehë disa anëtarëve të Al Kaedës që ishin përgjegjës për sulmet.
Një burim nga zyra politike e talebanëve në Doha tha për BBC se grupi do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar mbi vendimin e presidentit Trump. Ndërkohë, zyra e presidentit afgan Ashraf Ghani deklaroi se paqja e vërtetë do të jetë e mundur vetëm kur talebanët të bien dakord të ulin armët dhe të ulen në bisedime direkte me qeverinë afgane.
Një takim kokë më kokë me talebanët në Kemp Dejvit do të kishte qenë një lëvizje diplomatike e jashtëzakonshme nga presidenti amerikan, pasi do të ndodhte pak ditë përpara 18-vjetorit të 11 Shtatorit.
Por mesazhet e Trump duket se i dhanë fund një viti negociatash të vështira, në të cilat nuk ishte përfshirë qeveria e Kabulit, e konsideruar nga talebanët si qeveri kukull e amerikanëve./ABC News Albania 24/7