Nga qetësia e selisë së tij, Edi Rama e cilësoi kushtetuese dhe legjitime zgjedhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë, ndonëse pranoi se do kishte preferuar dakortësinë e opozitës.
Para se të falënderonte Adriatik Llallën për punën e tij, Kryeministri Rama rikujtoi edhe njëherë trajtimin që pushtetet I kanë rezervuar ndërvite drejtuesve të organit të Akuzës, ndërsa nënvizoi se ai nuk kishte akuzuar apo sulmuar asnjëherë Kryeprokurorin.
Duke komentuar situatën e krijuar nga opozitë në Parlament, Rama foli për një tjetër shfaqje të përpjekjes për të bllokuar reformën në drejtësi.
Të njëjtën gjë ia kishte thënë demokratëve kur protestuan për 3 muaj në boulevard, por për herë të parë, Rama pranoi se çadra para dritares së tij, kishte pasur për bashkëautor edhe aleatin e tij të LSI.
Sipas Ramës, opozita do ta ketë të pamundur të bllokojë reformën në drejtësi, ndonëse ai ritheksoi se dëshironte të dialogonte me të. Ftesat në adresë së demokratëve, këshilloi të mos ja merrnin për dobësi./abcnews.al