Klubi bardheblu i Tiranës rrezikon të marrë një dënim i cili mund ta bëjë shembull para të tjerëve që do të mendojnë të krijojnë trazira brenda fushës.
Sipas Kodit të Disiplinës Sportive, neni 64, bardheblutë rrezikojnë nga gjobë, pezdullim fushe, humbje ndeshjeje dhe deri në rënie nga kategoria. Disiplina ka në dorë gjithçka, pas atyre pamjeve të cilat tregojnë qartë hyrjen e tifozëve të Tiranës në fushë dhe dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarëve, por raportohet edhe ndaj lojtarëve të skuadrës kundërshtare.
NENI 64 – Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive
- Subjektet anëtare ose pjesëmarrëse në aktivitete që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të tyre në përputhje me Neni 64 do të dënohen me gjobë.
- Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat, dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë.
- Subjektet anëtare ose pjesëmarrëse në aktivitete që organizojnë ndeshjet zyrtare si fusha pritëse do të dënohen si më poshtë:
- në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë. Në rast se nga këto akte shkaktohet ndërprerja përfundimtare e ndeshjes, ekipi përgjegjës për sigurinë do të penalizohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 përveç dënimeve të tjera.
- Organi gjykues ka të drejtë të vendosë dënime edhe nëse nuk është verifikuar ndonjë shkelje e përcaktimeve këtu në këtë kod, por thjesht për çështje të mospërmbushjes së standardeve të sigurisë./ h.ll/abcnews.al