Firmoset në Romë marrëveshja tripalëshe, Manastirliu: Dritare e re për realizimin e transplantit të organeve në Shqipëri

schedule10:12 - 25 Maj, 2023

schedule 10:12 - 25 Maj, 2023

Firmoset në Romë marrëveshja tripalëshe mes Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Universitetit Tor Vetgata të Romës dhe Universitetit “G. D’Annunzio” të Chieti-Pescara për bashkëpunimin në fushën e transplantit të organeve.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në Universitetin Tor Vergata në Romë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për realizimin e transplanteve në Shqipëri dhe thellimin e bashkëveprimit në fushën e shëndetësisë me shtetin fqinj.

“Çelet një dritare e re për bashkëpunimin në fushën e transplanteve të organeve, falë iniciativës që jetësohet sot me firmosjen e marrëveshjes tripalëshe mes Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Universitetit Tor Vergata të Romës dhe Universitetit “G. D’Annunzio” të Chieti-Pescara.

Marrëveshja parashikon shkëmbimet ndërmjet tre universiteteve në disa drejtime.

“Kjo marrëveshje do të mundësojë shkëmbimet në fushën akademike dhe klinike, me përgatitjen e protokolleve në fushën e transplantit të veshkës, mëlçisë dhe pankreasit, formimin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit klinik, për të realizuar transplanet e organeve dhe asistencën e nevojshme për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për dhurimin”, tha Manastirliu.

Marrëveshja e bashkëpunimit që u firmos mes Universitetit të Mjekësisë së Tiranës nga Prof. Arben Gjata dhe dy Universiteteve prestigjioze italiane nga Prof. Nathan Levialdi Ghiron, Rektor i Universitetit Tor Vergata dhe Prof. Sergio Caputi, Rektor i Universitetit Chieti-Pescara do të çojë në një nivel të ri bashkëpunimin në fushën e mjekësisë mes Shqipërisë dhe Italisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!