Përbërja e qeverisë italiane, avokatë e profesorë, 4 ministra pa diplomë

schedule12:01 - 5 Shtator, 2019

schedule 12:01 - 5 Shtator, 2019

Shumica e ministrave të qeverise së re italiane janë avokatë, apo me karrierë akademike. Por 4 ndër ta janë të padiplomuar. Përbërja e qeverisë ka moshe të re, mesatarisht 47 vjeç.

Avokatë dhe profesorë universitarë janë dy profesionet që kanë pjesa më e madhe, plot 7 anëtarë të kabinetit qeveritar Konte 2 në Itali. Ndërsa tek të tjerët bien në sy profesione si inxhinier, menaxher apo dhe sindikalist.

4 nga qeveritarët e rinj të Italisë janë të padiplomuar, por më tipiku ndër ta është Luixhi Di Maio kreu i Lëvizjes 5 Yjet, aktualisht minister i jashtëm i Italisë. Sipas  mediave vendase në CV e tij ai ka eksperienca si webmaster, gazetar sportiv, asistent regjisor, kamerier dhe stewart në stadiumin San Paolo.

Përveç kreut të Lëvizjes 5 yjet, tre ministrat e tjerë pa diploma janë Vincenzo Spadafora, 44 vjeç, ministër i politikave rinore dhe sportit,  46 vjeçari Enzo Amendola, ministër për çështjet europiane dhe siciliania Nunzia Catalfo, ministre e punës.

Di Maio është edhe ministri më i ri në moshë 33 vjeç, ndërsa më e vjetra është ministrja e brendshme Luciana Lamorgeze, që mbush 66 vjeç pas disa ditësh. Femrat përbejnë rreth 30% të kabinetit qeveritar Konte 2 në Itali.

10 ministri i kanë shkuar partisë Lëvizja 5 Yjet, 9 Partisë Demokratike dhe 1 partisë të Lirë dhe të Barabartë.

Për të patur një mazhorancë sa më të gjerë, koalicioni qeverisës ia besoi Ministrinë e Shëndetësisë partisë të Lirë dhe të Barabartë, e drejtuar nga ish-kreu i Senatit, Pietro Grasso. /ABC News Albania 24/7