Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në 24-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, e ka quajtur atë aktin më të shëmtuar që bëri Serbia në Kosovë.
Konjufca u shpreh se burgu është institucioni më i lartë i shtetit dhe se 1 mijë të burgosur me qëllim u grumbulluan aty për t’u vrarë e masakruar, shkruan KOHA.
Sipas tij, është më se e ditur që shteti serb e ka bërë këtë krim makabër, por që thotë se fatkeqësisht ende nuk ka drejtësi.
“Jemi këtu për ta kujtuar aktin më të shëmtuar që e bëri Serbia. Ndonëse kanë kaluar 24 vjet dhe përgjegjësia është e shtetit serb, ende fatkeqësisht nuk ka drejtësi. I shoh edhe familjarët që për 24 vjet jetojnë me peshën e padrejtësisë. Kur është puna për UÇK po ka drejtësi e për forcat paramilitare serbe, me përgjegjësi të qartë që dihet për gjithë fushatën e gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, nuk po ka drejtësi”, theksoi Konjufca.