Balla: Bushati, përgjegjësi për kandidimin e Pjetrit

schedule16:07 - 4 Shtator, 2019

schedule 16:07 - 4 Shtator, 2019

Partia Socialiste nuk e ka të qartë rrugën që do të ndjekë për të përsëritur zgjedhjet në Shkodër. Numri dy i socialistëve, Taulant Balla tha në një intervistë për ABC News se zgjidhja duhet të vijë mes KQZ-së e Presidentit. Balla nuk vë duart në zjarr për pastërtinë e Agim Kajmakun në Vorë, ndërsa thotë se edhe Ditmir Bushati është përgjegjës kandidimin e Valdrin Pjetrit në Shkodër.

Ilir Meta nuk dekreton një datë të re për përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër, pasi fituesi Valdrin Pjetri ju zbulua një dënim i fshehur. Kjo i ka vendosur në vështirësi socialistët, të cilët nuk po e gjejnë dot mekanizmin për të përsëritur zgjedhjet në këtë bashki. Numri dy i socialistëve, tha për ABC News se zgjidhja duhet të gjendet mes institucionit të Presidentit dhe KQZ-së.

“Janë këto institucione të cilat do të marrin përgjegjësinë qoftë për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve. Këto institucione duhet ta zgjidhin mes tyre. Partitë politike kanë detyrën të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.

Në kushtet kur Meta nuk bën një hap pas, PS kërkon ndërhyrje nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës.

“Zonja Ademi ka mbaruar mandatin dhe Këshilli Bashkiak është autoriteti që duhet të komandojë një person tjetër siç e përcakton ligji, njërin prej nënkryetarëve pasi zonja Ademi nuk mund të firmosë qoftë edhe një shkresë të vetme në kushtet e përfundimit të mandatit të saj në 21 Gusht të vitit 2019”, tha Balla.

Por, a po shtyn PS fshehtas KQZ-në që të caktojë ajo vetë një datë zgjedhjesh?

“Duhet të jenë institucionet, ato të cilat hulumtojnë hapësirat ligjore. As nuk kemi hulumtuar në këtë kontekst pasi në fund të fundit KQZ është një organ i pavarur”, tha Balla.

Taulant Balla hedh poshtë idenë se mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor që kjo kompetencë t’i hiqet presidentit dhe t’i kalojë KQZ-së.

“Kjo është çështje që i takon komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Nuk bën pjesë në prioritet e punës së komisionit të posaçëm”, tha Balla.

Socialistët nuk vënë duart në zjarr e nuk japin garanci as për Agim Kajmakun në Vorë, të cilin PD po ashtu e akuzon si të dënuar.

“Në PS nuk ka një prokurori të përgjithshme që bën verifikime. PS nuk bëhet mburojë, por mbështet verifikimin. Nga ajo që është bërë publike, nuk rezulton të ketë një vendim të formës së prerë që të bëjë fjalë për rastin konkret. Përgjegjësia është personale. Për këtë qëllim ne do të marrim masat”, tha Balla.

Por, a duhet të kërkojnë ndjesë socialistët për këto përzgjedhje siç Ditmir Bushati ka sugjeruar?

“Ndjesën e kam thënë i pari, padyshim që edhe zoti Bushati apo kushdo tjetër anëtar i Kryesisë së PS-së ka qenë në mbledhjen e Kryesisë së PS-së kur janë diskutuar kandidaturat, në cilësinë e të deleguarit politik për Shkodrën edhe zoti Bushati ka qenë pjesë e propozimit të kandidaturës së zotit Pjetri”, tha Balla.

Prokuroria ende nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit as për Pjetrin e as për Kajmakun./ABC News Albania 24/7