Kurti: Po adresojmë sfidat për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit

schedule12:25 - 19 Maj, 2023

schedule 12:25 - 19 Maj, 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti  mërgatën shqiptare e konsideruar si një pasuri të çmuar për Kosovën, derisa shtoi se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri në konferencën “Diaspora Flet”, ku theksoi po ashtu se diaspora vazhdon të ketë rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, social  e politik të vendit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin diasporën me vendin.

Kryeministri Kurti tha se për herë të parë janë duke dizajnuar një fond për diasporë, i cili sipas ti, paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet.

Shefi i qeverisë u shpreh se po punojnë në adresimin e sfidave për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit.

“Për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkëkrijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jeni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkë-krijimin me mërgatën tonë. Po e theksojmë gjuhën shqipe sepse besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim”, u shpreh Kurti.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u shpreh se fokusi kryesor i tyre është dëgjimi i zërit të diasporës.

Derisa ka përmendur shumë aspekte legjislative që kanë ndërmarrë, ajo theksoi se në planin e zhvillimit kombëtar diaspora shihet si shtyllë për qeverisje të mirë.

Konferenca “Diaspora flet”  është organizuar nga “Germin” për tri ditë me radhë më 18, 19 dhe 20 maj, tema e përgjithshme e saj ishte  “Si mund të bashkë-krijojmë”.

/KosovaPress/