Pas barazimit 1 me 1 në “Santiago Bernabeu”, në sfidën e parë gjysmë-finale të UEFA Champions League, mes Real Madrid e Manchester City, ditën e nesërme do të zhvillohet dhe ndeshja e kthimit, ndeshje që do të përcaktojë një nga finalistët e përballjes së madhe të 10 qershorit në Stamboll.
Si zakonisht, ditën e sotme u mbajt dhe konferenca për shtyp në prag të një prej përballjeve më të forta të këtij sezoni futbollistik në Evropë, nga ku tekniku i Manchester City, Pep Guardiola i kërkoi lojtarëve të tij të luajnë më mirë se në “Bernabeu” në rast se duan të kapin finalen e madhe.
“Emocionet janë dhe do të jenë në kufi, të tilla duhet të jenë. Por nuk mund të mundësh vetëm një ekip si Real Madridi. Duhet të përmirësojmë pak planin e lojës, të rregullojmë pak. Duhet të krijoni më shumë shanse, të merrni më shumë topa në pozicione të favorshme, të mbani mend për kalimin e kundërshtarit nga mbrojtja në sulm, për cilësinë e tyre.
Ne luajmë kundër Real Madridit në gjysmë-finalen e Champions League, ky është kundërshtari më i fortë. Kjo është një sfidë dhe ne e pranojmë. Po bëjmë shumë mirë, jemi në finalen e FA Cup, një fitore larg titullit të Premierligës, por ne duhet të luajmë më mirë se Madridi.
Duhet të performojmë mirë dhe jo vetëm të tregojmë dëshirë. Duhet të relaksohemi, mbetet vetëm të bëjmë atë që kemi bërë për shumë vite. Duhet ta bëjmë këtë, dhe jo vetëm të kemi dëshirë për të arritur në finale. Duhet të luajmë më mirë se në Santiago Bernabeu për të arritur në finale”,- tha gjatë konferencës për shtyp, tekniku Guardiola. /i.m /abcnews.al