Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi deklaroi se në 44 bashki të vendit ka përfunduar procesi i numërimit të votave.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi u shpreh se numërimi është ndërprerë në dy KZAZ në Durrës, për shkak të lodhjes së komisionerëve dhe grupit numërues.
Sipas shifrave të raportuara nga 4835 qendra votmi, Celkibashi nënvizoi se pjesëmarrja në zgjedhjet e 14 majit rezulton 37.9%.
“Në lidhje me problematikat në procesin e numërimit, në Durrës, kemi ndërprerje në KZAZ numër 22 dhe 23 për shkak të lodhjes së komisionerëve dhe anëtarëve të grupit të numërimit. Kemi konsideruar situatën e krijuar në KZAZ e Kurbinit dhe problematikat në lidhje me numërimin në këtë KZAZ. Kemi marrë një vendim për të bërë pezullimin e procesit deri në 16:00, por ende nuk ka filluar procesi i numërimit. Kemi komunikuar me strukturat ligjzbatuese, me Policinë e Shtetit, për të siguruar në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor, rendin dhe sigurinë në ambientin e VNV dhe rreth vendit të numërimit të votave.
Kemi kërkuar që të largohen nga këto ambiente të gjithë personat e tjerë, me përjashtim të anëtarëve të KZAZ, numëruesve, vëzhguesve, përfaqësueve të medias dhe kandidatëve. Kemi marrë informacion se ky urdhër i KQZ është përmbushur dhe përreth ambientit të vendit të numërimit nuk ka persona të tjerë përveç atyre që parashikon Kodi Zgjedhor. Sa i takon pjesëmarrjes, ne kemi 4835 qendra votimi për të cilat është raportuar në KQZ. Rezultojnë 1,280,930 zgjedhës nga 3,379,873 zgjedhës që kanë këto qendra votimi. Përqindja për këto qendra votimi të raportura, është 37.9%”, theksoi ai./abcnews.al