80-vjetori i Luftës së Dytë Botërore, Meta: Krenar për qëndresën heroike të popullit tonë

schedule17:49 - 1 Shtator, 2019

schedule 17:49 - 1 Shtator, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte prezent këtë të diel në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Meta shkruan se ishte në Varshavë me ftesë të Presidentit polak, Andrzej Duda.

“Përulje përpara dhjetëra milionë viktimave, heronjve e dëshmorëve që humbën jetën në emër të lirisë e dinjitetit njerëzor, pavarësisë e sovranitetit, gjatë tragjedisë më të madhe që ka njohur njerëzimi. Bashkë me shumë krerë shtetesh, shprehëm solidaritetin për forcimin e paqes dhe ndërtimit të një botë më të mirë, që në themel duhet të ketë lirinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe besimin e ndërsjellë. Të gjithë së bashku të punojmë për lirinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor, që tragjedi të tilla, të mos përsëriten kurrë më. Të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur çdo ditë vlerat e demokracisë dhe lirisë, që na bashkojnë me NATO-n dhe Bashkimin Europian”, shkruan Meta.

Më tej, ai shton se Shqipëria ishte viktima e parë në Europë e kësaj lufte, por është krenar për qëndresën heroike të popullit tonë në luftën ndaj nazi-fashizmit.

“Shqipëria ishte viktima e parë në Europë e kësaj murtaje të njerëzimit, duke kaluar me kurajë sakrifica të jashtëzakonshme, që nga dita e parë e pushtimit, 7 prillit 1939, deri në ditën e fundit të çlirimit të Europës. Krenar për kontributin dhe qëndresën heroike të popullit tonë në luftën ndaj nazi-fashizmit”, përfundon postimi i Metës në Facebook./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!