Të dielën kryeministri Edi Rama zgjodhi ta kalojë në Korçë. Shefi i qeverisë shkoi për të inspektuar punimet për rikonstruksionin e konvikteve të këtij qyteti.
Konviktet në Korçë kanë nisur të rikonstruktohen.
Dhomat do të rinovohen, godina do të pajiset me ngrohje qendore, ndërsa fasadat dhe mjediset e jashtme do të rimodelohen.
Kryeministri Edi Rama ishte për të inspektuar nisjen e punimeve. Me detajet e projektit e njohu Drejtori i Fondit Shqiptar te Zhvillimit.
“Janë rreth 76 dhoma që do rikonstruktohen, me dy studentë për dhomë. Me rehabilitimin e godinës dhe krijimin e një standardi të ri mendojmë që do rritet dhe fluksi i studentëve që do fillojë të akomodohen në godinat publike, që kuptohet është dhe më ekonomik këtu, sepse edhe çmimi që paguajnë është shumë i ulët”.
Kur studentët të jenë me pushime, qyteza, tregoi deputeti Niko Peleshi do të vihet në dispozicion të skuadrave sportive që zgjedhin Korçën për fazën përgatitore.
“Me këtë investim, kjo qytezë do të rivitalizohet”.
Aktualisht konviktet në Korçë kanë një kapacitet për 160 studentë. /ABC News Albania 24/7