Analisti Mero Baze thotë se arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shit-blerje votash, duhej të ndodhte pas zgjedhjeve të 14 majit.
Në një intervistë për ABC News, Baze u shpreh se kjo krijon tension me Greqinë, pasi Beleri bën pjesë te pakicat greke në Shqipëri.
“Unë padiskutim që besoj te vepra penale e zotit Bejleri, por dyshoj te politika penale që është ndjekur për arrestimin e zotit Beleri, për shkak se duke qenë pjesëtar i pakicës greke në Shqipëri, duke qenë edhe një personazh kontravers, i cili ka qenë i përfshirë në polemika nacionaliste, mbivendosja e këtyre të dyja me një arrestim për një për të qartë penale e rëndon situatën. Nuk po them që të shmanget vepra penale, por ai duhet të vazhdohet të ndiqej dhe pas zgjedhjeve mund të operohej me të gjitha procedurat ligjore.
Mbivendosja e këtyre të dyja krijon një situatë toksike mes Shqipërisë dhe Greqisë, një tension të panevojshëm për shkak të një politike të pavarur penale të prokurorisë ndaj pakicës greke në Shqipëri. Politika nuk ka ndikuar në vendim se po të kishte ndikuar në vendim, do ishte e menaxhueshme situata. Problemi është që politika po përfiton nga vendimi i pavarur i prokurorisë”, theksoi ai./abcnews.al