Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga ministria e Greqisë për arrestimin e kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Në reagimin e saj ministria shkruan se blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve, kjo vlen për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.
Ndër të tjera në lidhje me arrestimin e Belerit, ministria thekson se kandidatura e tij nuk meriton trajtim të veçantë dhe ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër
Gjithashtu kërkon nga autoritetet greke që të lënë drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj pa presione.
“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.
Kandidatura e shtetasit shqiptar,Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat.
Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Ndërkohë kujtojmë se në lidhje me arrestimin e Belerit kanë reaguar autoritetet greke si ministri i Jashtëm Nikos Dendias dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, të cilët e kanë cilësuar si një veprim të nxituar vetëm dy ditë para zgjedhjeve. /abcnews.al