Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Deri në orën 14:00 të 17 gushtit 2026, në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 12 vatra zjarri. Shtatë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 467 forca operacionale dhe 34 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 120 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Malin e Dajtit, Tiranë, vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vakumone situata është nën kontroll dhe zjarri është izoluar, ndërsa Priska vijon të jetë në monitorim.
Në Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni vijon me 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë ndihmuar në pengimin e përhapjes së flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon vetëm në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat. Ndërkohë, në Bruç të Matit, operacioni vazhdon në terren të vështirë, por edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj të Mirditës vijon ndërhyrja e strukturave në terren. Dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, me 9 efektivë, janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri. Aktualisht, vatra nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni po zhvillohet me 2 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet në përmirësim në disa prej vatrave, ndërsa forcat tokësore dhe kapacitetet ajrore vijojnë të jenë të përqendruara në zonat aktive.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në vazhdimësi situatën dhe koordinon angazhimin e strukturave të Mbrojtjes Civile për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.


