Lajçak viziton Kosovën dhe Serbinë këtë javë

schedule13:44 - 10 Maj, 2023

schedule 13:44 - 10 Maj, 2023

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë më 11 maj në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do të vizitojë Beogradin.

Vizita e Lajçakut synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, konfirmoi zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano, shkruan REL.

“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha Stano.

“Në këtë kontekst, mund të konfirmoj se ai do të jetë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, shtoi ai.

Në takimet në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak pritet të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!