Manchester City, dy pikë larg Liverpool-it

schedule23:30 - 25 Gusht, 2019

schedule 23:30 - 25 Gusht, 2019

Manchester City u afrua sërish me kreun e renditjes në Premier Ligë, pas fitores arritur jashtë fushe. Sulmuesi argjentinas, Aguero, ishte më i miri për ekipin e Guardiolës, duke shënuar dy gola.

Kampionët as nuk mund të mendohen që të dorëzohen lehtë. Mançester Siti iu rikthye fitoreve dhe u afrua në vetëm 2 pikë diferencë me Liverpulin kryesues, pas suksesit 3-1 arritur në fushën e Bournemouth-it.

Liverpool-i ka 9 pikë, ndërsa City, 7. Sergio Aguero ishte më i miri i kampionëve, me dy gola të shënuar, ndërsa Raheem Sterling realizoi një tjetër.

Epërsia e skuadrës së Pep Guardiolës ishte e dukshme, ndonëse ndeshja nuk ishte edhe aq e lehtë, pasi skuadra vendase luftoi fort dhe rezultati mund të kishte qenë tjetër.

Gjithsesi, formacioni nga Manchester-i ia doli ta përballonte presionin dhe të godiste në momentet e duhura, duke qenë tepër efikas.

Guardiola duhet të ketë mbetur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij, të cilët reaguan me klas pas barazimit zhgënjyes ndaj Totenhemit javën e kaluar në stadiumin “Etihad”.

E sigurt duket që rivaliteti mes Manchester City e Liverpool-it do të vazhdojë edhe këtë edicion, ndoshta deri javën e fundit, siç ndodhi vitin e kaluar. City do të synojë të fitojë titullin e tretë radhazi, ndërsa Liverpool-i t’i japë fund 30 viteve pa trofe në kampionat.

Dy skuadrat, me gjasë, do të jenë konkurrente edhe në Champions, ku Liverpuli triumfoi në maj, ndërsa Guardiola do të kërkojë kupën e parë që nga viti 2011./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!