Tirana në krye të ligës pas javës së parë

schedule14:15 - 25 Gusht, 2019

schedule 14:15 - 25 Gusht, 2019

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, u shpreh i kënaqur pas fitores së ekipit të tij në ndeshjen e parë të Superligës. Optimist duket edhe Ilir Daja pas rikthimit me sukses tek Skënderbeu.

 

 

Nuk mund të quhet prova e vërtetë, por bëri detyrën.

Tirana për momentin respektoi parashikimet si një nga pretendentet kryesore të këtij sezoni në Superligë, ndonëse suksesi 3-0 u arrit ndaj një Luftëtari që mund të quhet hija e sezonit të kaluar.

Në krizë financiare, me largime lojtarët e nisje tepër të vonshme të përgatitjeve, dhe me ndryshim trajnerësh dy ditë para ndeshjes, gjirokastritët nuk mund të ishin “etaloni” që do të maste forcën e bardh e bluve.

Sidoqoftë, skuadra e Ardian Memës la pas përshtypjet e këqija të ndeshjes përgatitore ndaj Bylisit, duke u dukur bindëse.

Zgjidhi gjithçka që në 45 minutat e para, kur shënoi të tre golat, me autorë brazilianin Dunga, sulmuesin Grent Halili dhe ish-mesfushorin e Partizanit, Idriz Batha me penallti.

Pas pushimit pati menaxhim të suksesshëm të rezultatit në “Selman Stërmasi”, ndërsa bardh e blutë ishin imponues me mjaft emra të rinj.

Të tillë, Batha, Dunga, Torasa, Osmani apo Kale, ndërsa pati minuta edhe për të talentuarin Muçi.

Në ndeshjet e tjera pati fitore minimale të Teutës dhe Skënderbeut.

Durrsakët triumfuan ndaj Bylisit, në një ndeshje jo edhe aq të lehtë, që në “Niko Dovana” u vendos nga një gol i vetëm i kapitenit Renato Arapi.

Korçarët, ish-kampionë dhe me halle të mëdha pas dënimit në Evropë, e nisën gjithashtu me këmbën e mbarë.

Në një duel tashmë klasik, ndaj Flamurtarit në Korçë, ata triumfuan falë rrjetës së Nazmi Gripshit në sekondat e fundit, në minutën e 95-të.

Në javën e parë pati katër fitore me rezultat minimal 1-0, ndërsa asnjë nga skuadrat udhëtuese nuk arriti të merrte pikë.

Ndeshjet e dyta të Superligës luhen në mesjavë./ABC News Albania 24/7